Të shkruarit si terapi!
Po ju dërgoj pas në kohë, më 10 korrik 2020. Ishte nata e ndarjes së cmimeve dhe unë isha nominuar për çmimin gruaja e vitit ne ICT, Informacion, Komunikim dhe Teknogji. Atë mbrëmje më filloi dhimbja e veshit dhe më pas e kokës, por se kisha mëndjen tek dhimbja pasi po mendoja për daljen në skenë dhe fjalimin. Ajo dhimbje nuk ishte thjesht një dhimbje veshi, por shenjoi nisjen e një sfide të re që ndryshoi jetën time 180 gradë. Une u diagnostikova me çrregullim të nyjes dhe si rrjedhojë u zhvendosa në Gjermani për tu kuruar. Ky çrregullim ka raste që më kufizon aktivitete bazë si e folura e ngrëna. E nisa fjalimin me nominimin për të treguar stilin e jetesës që kisha si sipermarrese dhe ndryshimin drastik që kjo gjëndje shëndetsore solli. Më tronditi në themele.
Por nevoja ime për të komunikuar nuk u zvogëlua kurrë, madje as nevoja për të krijuar. por për mua këto janë të lidhura esencialisht së bashku. Në këto rrethana ku gjendesha duhet të ndyshoja mënyrën e komunikimit kryesore dhe jo të mbeshtetesha tek e folura si më perpara. Kështu që zgjodha të fokusohem tek shkrimi. Si fillim shkruaja fjalë qe si thoja dot kur isha paqejf, më pas fillova të shkruaja për mënyren si ndihesha apo mendimin tim në lidhje me dicka që po më ndodhte. Të shkruarit u bë si një takim me psikologen, një vend ku mund të shprehja mendimet e mia, gjërat që më trembnin më shumë apo dhe thjesht shfryrje.
Pra hapi parë ishte te shkruaja çdo gjë që kalonte në mëndjen time pa filtra. Më pas të nesërmen kur lexoja çfarë kisha shkruar më ndihmonte të zhvilloja një bisedë me veten time në të shkuarën dhe në të ardhmen. Me ndihmonte të njihja veten time më shumë, të ndërgjegjsohesha për mendimet e mia dhe rrjedhimisht duke njohur veten mund të kuptoja dhe pse i kisha këto mendime.
Duke lexuar çfarë shkruaja u ndërgjegjsova për mënyrën si i flisja vetes, një mënyrë shumë e rreptë, një mënyrë që unë sdo i drejtohesha asnjë miku apo mikeshe time. Miqve të mi ju drejtohem me shumë më butësi, në momentin që ju ndodh një ngjarje negative. Kështu që vendosa që në fund të çdo shkrimi që do bëja do e pyesja veten si do i flisje një mikeshe dhe do shkruaja dhe mendimin në versionin ku e trajtoj veten me butësi.
Një gjë shumë e rëndësishme që mësova nëpërmjet të shkruarit është se në momentin kur shkrimi im ishte i qartë atëherë dhe mendimet ne mëndjen time ishin te qarta, normalisht që kjo gjë sarrihet duke shkruar herën e parë as të dytën, por duke shkruar vazhdimisht dhe duke ju rikthyer të njëjtit material disa herë. Shumë herë mendoja se isha shumë e qartë në idenë që kisha në mëndje, por kur filloja të shkruaja shkrimi sishte aspak i qartë dhe duhej rishkruar disa herë që me të vërtetë koncepti të kristalizohej. Për mua vlen shprehja të shkruarit qartë do të thote të menduarit qartë dhe jo e anasjellta. Pra të shkruarit ishte si palestër për trurin tim.
Mësova shumë nga ngjarjet e rëndësishme në jeten time jo vetem duke i jetuar ato por dhe duke shkruar per to. Pasi duke shkruar mora kohe që ti mendoj me qetësi ti analizoj, çfare ndodhi? Si ishte reagimi im? Si reaguan njerëzit e tjerë rreth meje: Çfare mësova prej saj, si ndikoi tek unë.
Të shkruarit e kombinuar me udhëtim në kohë më ndihmoi pafundësisht. Po e lexuat sakte, shkrimi dhe udhëtimi në kohë. Një zbulim shumë i rëndësishëm për mua ishte se mund të shkoja mbrapsht në kohë në çdo event të jetës sime jo për të ndryshuar çfare ndodhi por kuptimin që kishte për mua. Të ndryshoj mësimin që mora nga eksperienca e kaluar. Të isha unë personi që vendoste se cili ishte mësimi.
Më ndihmon me të folurin në publik, madje mendimet më të mira ose shumica e tyre janë mendime që tashme i kam shkruar në leter. Pra të shkruarit shërben si mprehesja e lapsit për mendimet e mia.
Kjo ishte gota gjysëm plot që gjeta ndërkohë që po kaloj këtë eksperiencë. Kjo gjëndje shëndetsore më bëri të jem më e ndergjegjshme për veten time dhe njerezit përreth meje dhe ndikoi thelbësisht në mënyren time të jetesës dhe të menduarit. Të shkruarit me prehu mendimet, më ushtroi trurin, më teleportoi ne kohe, por mbi te gjitha më bëri të njoh veten.