Një nga vajzat më të guximshme në histori…

Lolita Ndoci
3 min readDec 8, 2021

--

Të ngrejmë një dolli për një nga gratë më të guximshme në histori, një rrëfyese ngjarjesh, marketuese e shkëlqyer, drejtuese, revolucioniste. Për kë po flas? Epo… është Shehrazadja e 1001 netëve. A e keni lexuar „1001 netë“ ? Nëse jo, mos u shqetësoni, pasi do t’ju bëj një përmbledhje të vogël për t’ju rrëfyer për këtë grua të re të mrekullueshme.

“1001 Netë” janë një përmbledhje përrallash nga Azia dhe Lindja e Mesme. Historia fillon me një vajzë të re të quajtur Shehrazade. Mbreti i vendit të saj merr vesh për tradhtinë e bashkëshortes së tij dhe e ekzekuton atë. Më pas në nerva, inat dhe zemërim, vendos që të gjitha gratë që do ketë në të ardhmen janë fajtore dhe do të ekzekutohen. Mbreti vendosi që çdo natë do martohej me një virgjëreshë dhe në mëngjes vajza do të ekzekutohej. Ai ekzekutoi me rradhë disa virgjëresha të mbretërisë së tij, pasi kalonte natën me to. Të gjitha gratë e reja në vend filluan të largohen nga qyteti pas këtij vendimi monstruoz të mbretit, por Shehrazadja bëri një plan me motrën e saj dhe insistoi të ishte virgjëresha e rradhës për t’u martuar me mbretin. Ajo vështroi të motrën në sy dhe tha: „ Atëherë le të filloj dhe shpresoj, se nëpërmjet kësaj mënyre, do të çliroj njerëzit nga terrori që mbretëron mbi ta. „ Me të vërtetë një lidere“.

Kur mbreti e merr Shehrazaden si gruan e tij, ajo i lutet atij për një favor të fundit, të lejoje motrën e saj të flejë në dhomat e tyre. Pak përpara se të agonte, motra e saj i kërkon një favor të fundit. Përpara se ajo të vdiste, i kërkon të rrëfejë një prej historive të saj. Shehrazadja fillon të tregojë historinë në natën e martesës së saj dhe kur agoi ajo ndaloi së rrëfyeri historinë në momentin më kulminant. Mbreti e shtyu vendimin e ekzekutimit të saj që të dëgjonte fundin e historisë që po rrëfente. Ajo përfundon së rrëfyeri historinë e një nate më parë dhe nis të tregojë një tjetër. Si rrjedhojë, mbreti e shtyn ekzekutimin e saj dhe për një natë. Shehrazadja, çdo natë, tregonte një histori dhe e ndërpriste në momentin më kulminant. Mbreti e shtyu ekzekutimin e saj për 1001 netë, gjatë të cilave ai dashurohet me Shehrazaden dhe i jep fund ritualit të ekzekutimit të vajzave.

Ky artikull është inspiruar nga masterclass i Salman Rushdie. Gjatë masterclass-it së tij e dëgjova duke folur për këtë vajzë dhe u kujtova që kisha lexuar për të në fëmijëri. E vogël kam lexuar disa nga historitë që rrëfen Shehrazadja tek „1001 Netë“. Kisha nevojë ta rivizitoja figurën e saj, por tashmë me sy tjetër duke i dhënë vendin që ajo meriton. Shehrazadja është shumë kurajoze por në të njëjtën kohë vetëkontrolli i saj është i admirueshëm. Pasi mbreti e ka zhvirgjëruar, ajo vazhdon me planin e saj për ti treguar një histori përpara se të agonte. Madje, ajo besonte aq shumë në art, sa mendonte se mund të ishte mjeti për të shpëtuar atë dhe popullin e saj nga sjellja e tmerrshme e mbretit. Jam e mrekulluar nga revolucioni që ajo solli për të gjitha gratë në mbretëri. Ajo nuk është vetëm rrëfyesja sharmante e historive por është strategu dhe heroi i historisë.

--

--

Lolita Ndoci
Lolita Ndoci

Written by Lolita Ndoci

Lecturer at the Faculty of Science, University of Tirana.

No responses yet